Bordi vendos çmimet e reja të karburanteve, nafta 210 lekë/litër, benzina 165 lekë
Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të karburanteve, që kanë hyrë në fuqi më 12 nëntor 2026, në orën 18:30.

Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të tregtimit të karburanteve në Shqipëri, të cilat hyjnë në fuqi më 12 nëntor 2026, duke nisur nga ora 18:30. Sipas vendimit, çmimi maksimal i naftës për konsumatorët do të jetë 210 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me një çmim jo më të lartë se 165 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi maksimal i gazit për automjete është përcaktuar në 71 lekë për litër. Për tregtimin me shumicë, Bordi ka vendosur çmimin 198 lekë për litër për naftën, 153 lekë për litër për benzinën dhe 59 lekë për litër për gazin e automjeteve. Çmimi i naftës për peshkimin është përcaktuar në 114 lekë për litër.
Çmimet e miratuara do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të shqyrtohen sërish zhvillimet në tregun e hidrokarbureve dhe do të vendoset për ndryshime të mundshme.
Pezullim aktiviteti për operatorët që nuk respektojnë çmimet tavan
Bordi i Transparencës ka paralajmëruar të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë se respektimi i çmimeve maksimale të miratuara është i detyrueshëm. Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj operatorëve do të zbatohet masa e pezullimit të aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Mekanizmi i Bordit të Transparencës vijon të përcaktojë çmimet maksimale të shitjes së karburanteve, duke mos lejuar operatorët të aplikojnë çmime mbi nivelet e miratuara.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)